Lajme

Takimi i 3-të i Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Shoqërisë Civile BE–Shqipëri (JCC)

BiznesAlbania mori pjesë në Takimin e 3-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC), i zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Bashkimit Europian, organizatave të biznesit, sindikatave dhe shoqërisë civile.

Takimi u fokusua në progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, veçanërisht në kuadër të Klasterit 2 – Tregu i Brendshëm, përgatitjet për integrimin në Tregun Unik Europian, mbrojtjen e konsumatorit, lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve, si dhe rolin e shoqërisë civile në procesin e reformave.

Në emër të komunitetit të biznesit, z. Koli Sinjari, anëtar i palës shqiptare në JCC, mbajti një fjalë ku theksoi rëndësinë strategjike të integrimit të Shqipërisë në Tregun Unik Europian dhe nevojën për përshpejtimin e reformave që lidhen me katër liritë themelore të Bashkimit Europian: lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, shërbimeve dhe kapitalit.

Në fjalën e tij, z. Sinjari vlerësoi përmbushjen me sukses të Klasterit “The Fundamentals”, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit. Ai nënvizoi gjithashtu se progresi në kapitujt që lidhen me Tregun e Brendshëm duhet të trajtohet si prioritet kombëtar.

Ai theksoi më tej rëndësinë e:

  • Njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale për profesionistët shqiptarë në tregun europian;
  • Përshpejtimit të harmonizimit me Direktivën e Shërbimeve dhe Direktivën për Kualifikimet Profesionale;
  • Zhvillimit të sistemeve që mundësojnë lëvizjen e lirë dhe mbrojtjen sociale të punëtorëve shqiptarë në vendet anëtare të BE-së;
  • Përfshirjes së organizatave të biznesit dhe shoqërisë civile si partnerë të strukturuar gjatë gjithë procesit të reformave dhe negociatave.

Z. Sinjari theksoi se Tregu Unik Europian mbetet një nga shtyllat kryesore të integrimit europian dhe, njëkohësisht, një test i rëndësishëm i angazhimit politik të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

BiznesAlbania vlerëson këtë dialog të strukturuar ndërmjet institucioneve, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile si një instrument të domosdoshëm për të siguruar një proces integrimi gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete për ekonominë shqiptare dhe sipërmarrjen.

Takimi përfundoi me miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri.

  

Kontakte

Tel/fax: +35542204272
Tel/Fax: +35542226280
Mob: +355682082666

E-mail : info@biznesalbania.org.al

Adresa: Bulevardi Bajram Curri, Godina 2 kate brenda ambjenteve te Drejtorise Rajonale te Arsimit dhe Formimit Profesional DRAFP Nr.4, Tirana / Albania

fb.com/biznes.albania.1