Rritja e cilësisë së punës dhe jetës nëpërmjet dialogut social dhe efektiv në Ballkanin Perëndimor ishte fokusi i një aktiviteti rajonal që solli në Tiranë krerët e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social, Fondacionin Evropian të Trajnimit, Agjencinë Evropiane për Kushtet e Jetesës dhe të Punës dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Diskutimi theksoi rëndësinë e dialogut social në përmirësimin e kushteve të punës, pajisjen e fuqisë punëtore me aftësitë e duhura dhe zgjerimin e mundësive për të rinjtë përmes nismave si ‘Garancia Rinore’.
Ky diskutim është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të ndihmuar rajonin në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe jetës për qytetarët e tij, si dhe për të forcuar strukturat e organizatave sociale.