BiznesAlbania Lajme

Presidenti i BiznesAlbania, z. Luan Bregasi, pret në një takim të veçantë Ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaianin. Bisedohet për rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes BiznesAlbania dhe organizatave homologe në Apenine

Presidenti i BiznesAlbania, z. Luan Bregasi, priti në një takim të veçantë, me kërkesën e tij, Ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaianin, i shoqëruar nga sekretare e Parë e Ambasadës dhe shefe e Zyrës Tregtare, znj. Raffaella Valentini.

Në fillim të takimit, presidenti i BiznesAlbania i tha ambasadorit të vendit mik se biznesi shqiptar ka pasur dhe ka marrëdhenie të mira me Ambasadën në Tiranë. Z. Bregasi e falenderoi z. Gaianin për interesimin që ka treguar për organizatën që ai drejton, sidomos pas takimit me znj. Valentini, të realizuar pak kohë më parë. Ai e informoi gjerësisht për vendin dhe rolin e BiznesAlbania si dhe mënyrën e funksionimit të saj. “BiznesAlbania” nuk u krijuar me urdhër të dikujt, por si një nevojë e biznesit për të forcuar rolin dhe kontributin e klasës, së maturuar tashmë, të sipërmarrjes shqiptare”, – i tha Z. Bregasi ambasadorit mik.- “Shoqatat që përbëjnë BiznesAlbania-n ishin të forta, por nuk ishin të fuqishme; tashmë ato janë të tilla”, shtoi më tej Presidenti i kësaj organizate të biznesit.

Bregasi foli edhe për disa nga veprimtaritë kryesore të realizuara nga BiznesAlbania në mbrojtje dhe advokim të organizatave anëtare si dhe i tregoi ambasadorit mik axhendën e miratuar tashmë të veprimtarive të saj për vitin në vijim, duke u ndaluar më pas në lidhjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare që kjo organizatë ka me simotrat e saj në rajon e Europë, por sidomos në vizitën e fundit të një delegacioni të BiznesAlbania në Bruksel dhe takimin me autoritetet më të larta të BusinessEuropë etj.

Nga ana e tij , Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaianin, duke falenderuar për këtë pritje dhe fjalën prezantuese të z. Bregasi, tha se qeveria e tij është e interesuar për të zhvilluar këto raporte të njohura bashkëpunimi. “Duke qënë partneri i parë ekonomik i Shqipërisë, me rreth 30 % të shkëmbimeve tregtare dypalëshe, Italia është e interesuar për një dialog në rritje mes shoqatave të biznesit të të dy vendeve dhe institucioneve reciproke”, – tha ambasadori Gaianin. Ai vlerësoi ecurinë e organizatës shqiptare “BiznesAlbania”, kërkoi që të shihet me përparësi sidomos vendosja e kontakteve me Confindustria-n italiane por edhe marrëdhëniet më të ngushta bilaterale me rajone afër Shqipërisë, krahas atyre me institucionet relevante europiane, etj.

Bregasi, duke e miratuar këtë ide të ambasadorit Italian i tha atij se shqiptarët kanë një shprehje: “Përpara se ata të shkojnë tek komshiu, në fillim shkojnë tek vëllai”,- duke garantuar mikun e Apenineve se marrëdhëniet dypalëshe janë në fokus të organizatës që ai drejton.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri tha në takim se, duke qënë në profesionin e ekonomistit, kishte parë me vemendje interesin në rritje të investitorëve italianë për Shqipërinë. “Janë 20 deri në 30 mijë sipërmarrje shqiptarësh në Itali që po rikthehen në vendin tuaj dhe ata janë një pasuri e madhe, sikundër janë më shumë se 150 studentët italianë në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë, të cilët përbëjnë një mundësi të mirë për të rritur imaxhin e Shqipërisë në Itali, për ta njohur më mirë Shqipërinë aty, -tha z. Massimo Gaianin, duke shtuar se “në vendim tim tani Shqipëria po shihet si Kina e afërt, për shkak të lehtësive që ofron për investitorët italianë, pozitën gjeografike, krahun e lirë të punës, gjuhën e komunikimit etj.

Bregasi dhe ambasadori Massimo Gaianin ranë dakort për një axhendë të përbashkët në të ardhmen, për një bashkëpunim të plotë e të gjithanshëm mes organizatave homologe të sipërmarrjes, mes subjekteve të të dy vendeve mike etj. U diskutua për organizimin e “Ditës së Biznesit” Shqipëri-Itali, për një sportel unik të sipërmarrjeve të të dy vendeve dhe për çështje të tjera me interes reciprok.

Në këtë takim z. Bregasi shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i BiznesAlbania, Bardhi Sejdarasi, Drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Koli Sinjari, Drejtori Juridik, Ermir Bregasi etj.

 

Zyra e shtypit e BiznesAlbania

 

Leave a Reply